Kënga e njëzetegjashtë

Lugu i tetë. - Këshilltarët dinakë. - Uliksi dhe Diomedi.

 

Galdo, Firence, që ke madhështi,

që krahët nder përmbi det e tokë,

me emër je edhe në Ferr të zi!

Nga qytetarët tu me vjedhësit tok 4

kur pesë i gjeta, turpi më mbuloi,

besoj se edhe ti do ulësh kokë.

Një ëndërr në mëngjes po na tregoi 7

veç të vërtetën, do mësosh pas pak

tok me të tjerët Prato ç’të uroi.

Në pastë ndodhur, herët s’është aspak: 10

u bëftë e keqja që nuk mënjanohet dot!

Do të vuaj më shumë po të jem më plak.

U nisëm nëpër shkallën gurëplot, 13

nga ku më parë poshtë patëm zbritur,

me zor e ngjis, tërhequr nga imzot.

Po ecnim rrugës vetëm, të mërzitur, 16

dhe mbi shkëmbinj e gurë kurrsesi

pa duart këmbët s’kishin për t’u ngjitur.

Sa vuajta dhe vuaj përsëri 19

kur sjell ndërmend ato që pata parë.

Përpiqem mendjes që t’i vë kufi,

sepse do ndjekur vetëm rruga e mbarë; 22

nëse nga fati pata një dhunti,

ta humb nuk dua si ndonjë i marrë.

Si një fshatar që majë kodrës rri, 25

kur ai që botën gjithandej ndriçon

pështjell sakaq çdo gjë me terr të zi,

mishkonja mizën kur zëvendëson, 28

kaq xixëllonja s’sheh ai në lëndinë,

atje ku ndoshta vjel apo lëron,

sa ç’shihja si nga flakët vetëtin 31

i teti lug, porsa për sytë e mi

e tëra u shpalos ajo greminë.

Si ai që hakun mori me arinj 34

kur qerren pa t’Elisë që po largohej

dhe kuajt që e ngjisnin në ajri,

sado me sy ta ndiqte po mundohej, 37

nuk shihte tjetër veç një flakërimë

që si një re drejt qiellit po lartohej,

kështu në grykë të asaj gremine 40

lëvizin flakët dhe, pa u kuptuar,

secila fsheh një nga ata fatzinj.

Mbi urë rrija veç duke vështruar 43

dhe të mos isha kapur tek një shkëmb,

do kisha rënë kush pa më dëgjuar.

Kur prijsi pa si shihja te ky vend 46

më tha: "Çdo flakë fsheh një mëkatar

që digjet i pështjellë anekënd".

"Mësues, - i them, - me mend e pata marrë. 49

Por dhe më fort më bindën fjalët tua.

Ja ç’desha të të pyesja pak më parë:

Cil’ djeg ai zjarr, që krejt u bigëzua 52

dhe ngjan sikur nga pirgu t’ishte ngritur,

ku me vëllanë Eteokli u shkrumbua?".

"Aty mundohen, - prijsi qe përgjigjur,- 55

Uliks e Diomed. Si zemërimi

të dy njëlloj shpagimi i ka goditur.

Këtu në zjarr ata i mbyt vajtimi 58

nga kali që e futën me dredhi

atje ku Romës kthjellët i del burimi.

Për shkak të Deidamisë heqin zi, 61

që për Akilin dhe e vdekur qan,

dhe të Paladës vjedhur me njimti".

"Mes flakësh mundësi po qe se kanë 64

të flasin, veç një lutje, prijs i mirë,

që vlen njëmijë, - i them, - për ty e kam.

T’i bësh të flasin unë kam dëshirë, 67

ja, po afrohet flakë e bigëzuar,

e sheh me mall si drejt asaj jam prirë".

Dhe ai më tha: "Kjo lutje do lëvduar, 70

prandaj prej meje është e mirëpritur,

veç mos harro se gjuha do shtrënguar.

Çfarë të shqetëson ty duke e ditur, 73

më lër t’i pyes, sepse grekër janë

dhe ndoshta ty s’kanë për t’u përgjigjur".

Pastaj kjo flakë me të ardhur pranë, 76

ai zgjodhi çastin dhe u qe drejtuar

atyre që kjo flakë fshehur mban.

"O ju të dy veç me një zjarr mbuluar, 79

nderim për mua në paçi sadopak,

ngaqë për ju në jetë pata shkruar,

lavdi u thura me të lartin varg, 82

aty qëndroni! Njëri të tregojë

ku vdekjen gjeti i madhi endacak!".

Një murmurimë nisi të lëshojë 85

dhe fort lëkundet më i larti bri,

sikur një erë flakën t’ia trazojë.

Andej-këtej valvitet majë e tij, 88

pastaj zë nxori dhe na pat treguar

si t’ish një gjuhë që të flasë di:

"Me t’ikur nga Circea, që më pat shtrënguar 91

më se një vit të rrija në Gaetë,

Eneu ende pa e emërtuar,

as djali i dhembshur, as babai i shkretë 94

që fort nderoja, as dhe dashuria

për Penelopën plot gëzim të qetë,

s’mundën t’i shuajnë endërrat e mia 97

kryq e tërthor t’i bija botës mbarë,

të mirën dhe të ligën që të dija.

Dhe rrugën e Mesdheut pata marrë 100

veç me një varkë dhe disa pak shokë,

që kurrë mua nuk m’u patën ndarë.

Dy brigjet pamë, Spanjë dhe Marok, 103

ishullin Sard me ujë të rrethuar,

nga deti lagur plot të tjera tokë.

Tashmë ne ishim burra të moshuar 106

kur tek ajo ngushticë patëm sosur,

që Herkuli me shtylla pat shënuar,

kufi detarëve duke ua vendosur. 109

Sevilën djathtas lamë në shtegtim,

në ujë majtas Seta qe fundosur.

"Vëllezër, - thashë, - që në perëndim 112

arritët nëpër rrugë aq të vështirë,

sa ende gjallë e kemi çdo ndijim,

pak jetë që na mbeti me dëshirë 115

le ta flijojmë për të njohur botën,

që prapa diellit shtrihet si shkretirë.

Ata nderoni që na bënë kokën 118

jo për të jetuar në padituri,

po për të njohur qiellin, detin, tokën".

U dhashë aq zemër shokëve të mi 121

sa dhe për mua do ish vështirë

t’i zbraps ata nga ky shtegtim i ri.

E kthyem varkën ende pa u gdhirë, 124

si krahë i rrahëm rremat fluturim

dhe rrugën nisëm majtas duke u prirë.

Dhe ja, shoh natën yjet plot shkëlqim 127

të polit tjetër, ylli i polit tonë

në ujë u zhyt të detit pa mbarim.

Plot pesë herë botën e ndriçon, 130

plot pesë herë hëna krejt u nxi

që kur shtegtimin varka po vazhdon.

Por befas para shoh në largësi 133

një goxha mal. Jo, kurrë s’kisha parë

një mal si ky, të madh e kaq të zi.

Në vaj për ne u kthye gëzimi i parë: 136

nga tokë e re një shakullimë u ngrit,

me vete varkën pasi pati marrë,

tri herë tok me ujët u vërtit, 139

të katrën herë pupën ngre përpjetë,

përposh e zhyt dhe, pasi na godit,

siç desh Dikush, ne na mbulon me det". 142

_______________________________________

V. 9. Prato - Qytezë e vogël nën sundim të Firences. E pakënaqur nga ky sundim, ajo uron që Firencja të pësojë fatkeqësi. V.26. kur ai botën gjithandej ndriçon - Dielli në verë. V. 28. mishkonja mizën kur zëvendëson - Në mbrëmje. V. 34-39. Si ai që hakun - profeti Elia u ngjit para syve të profetit Elize me një qerre të zjarrtë në qiell. Arinjtë i shqyen fëmijët që ai mallkoi nga që ishin tallur me të. V. 54. ku me vëllanë - Djemtë e Edipit, Eteokli dhe Poliniku, vranë njëri tjetrin. I dogjën bashkë mbi një turrë drush. V. 56. Uliks e Diomed - Heronj grekë të luftës së Trojës. Bashkëpunuan si në beteja, ashtu edhe në dhelpëritë e tyre. V. 58-60. Kali - Kali i drunjtë, brenda të cilit u fshehën Uliksi dhe luftëtarë të tjerë grekë. Trojanët e futën në qytetin e tyre duke sjellë shkatërrimin e tij. V. 6l. Deidamia - E bija e mbretit Likomed të Skirës, u dashurua pas Akilit. Në shtëpinë e të jatit të saj u fsheh Akili, i veshur si grua, që të mos shkonte në Trojë. Uliksi dhe Diomedi e zbuluan me anë të një dredhie dhe e morën me vete në luftën e Trojës, ku ai gjeti vdekjen. V. 63. Palada - Statuja e Athinasë në Trojë, e cila u vodh me dredhi nga Uliksi dhe Diomedi. V. 82. lavdi u thura me të lartin varg - Në veprën e tij "Eneida". V. 84. i madhi endacak - Plini Plak (shek. I para e.s.) dhe Solini (shek. III i erës sonë) tregojnë një legjendë, sipas të cilës Uliksi me t’u kthyer në Itakë u nis përsëri për në lundrim, duke dalë në oqeanin Atlantik. Ai themeloi Lisbonën (Ulisipin) dhe vdiq gjatë një shtrëngate në bregun perëndimor të Afrikës.V. 91. Circea - Magjistare e bukur që i kthente njerëzit në kafshë. Kur Uliksi po kthehej nga Troja në atdhe, pas shumë endjesh nëpër det, zbriti në bregun ku banonte Circea. Ajo i ktheu shokët e Uliksit në kafshë. Por pastaj u ktheu përsëri pamjen njerëzore dhe duke rënë në dashuri me Uliksin e mbajti atë një vit pranë vetes. V. 92. Gaetë - Mali i Circeas (tani Monte-Çirçelo) është afër atij vendi, ku Eneu varrosi mëndeshën e tij Kajeta, duke e quajtur këtë vend me emrin e saj - Gajetë (në breg të detit Tirren). V. 94-l02. as djali - As dashuria për djalin, nderimi për babain dhe as dashuria "për Penelopën plot gëzim të qetë" nuk mundën ta përmbanin, pas kthimit në atdhe nga Troja, që të nisej përsëri në udhëtim. V. l04. ishullin sard - Ishullin e Sardenjës. V. l08. që Herkuli - Sipas mitologjsë antike, në të dy anët e ngushticës së Gjilbralatarit Herkuli nguli dy shtylla si cak për lundërtarët. Këto janë: Kepi Kalne (Gjilbraltari) në bregun evropian dhe Kepi Abila në bregun afrikan. V. ll0. Sevilja - Qytet në Spanjë, në rrafshultën e Guadalkivirit. V. lll. Seta - (tani Seuta) - Liman në Kepin Abila. V. ll7. që prapa diellit - Hapësira e pamatur dhe e mbuluar me det në perëndim. V. l26. dhe rrugën nisëm majtas ...- Duke ndjekur drejtimin në jug-lindje të Gjilbraltarit. V. l27-l29. shoh natën yjet plot shkëlqim - Uliksi tregon se sheh yjet e hemisferës jugore, ndërsa ata të hemisferës veriore ("ylli i polit tonë në ujë u zhyt të detit pa mbarim") nuk i sheh. Kjo do të thotë se ai bashkë me shokët kishin kaluar Ekuatorin. V. l30-13l. Plot pesë herë botën e ndriçon - Pesë herë u ndriçua hëna, pesë herë ajo lëshoi dritë mbi tokë. Domethënë kanë kaluar pesë muaj që nga fillimi i shtegtimit. V. 134. një goxha mal - mali i Purgatorit. V. l42. siç desh Dikush - Siç desh Zoti, i cili ua ka ndaluar të gjallëve që t’i afrohen malit të Purgatorit.

 

Back to Top

 


Dante Aligeri – "Komedia Hyjnore – Ferri" – Shqipëroi Çezar Kurti, Kurti Publishing, New York, 1996.

Copyright©1996 by Kurti Publishing.